PËRSHKRIM I PUNËS SË DEPARTAMENTIT DHE NJË HISTORIK TË SHKURTËR TË TIJ
Departamenti i Matematikës i ka fillimet e tij që në vitin 1946, vit kur u krijua Instituti i parë Pedagogjik në Shqipëri, në përbërje të cilit ishte dhe katedra e Matematikës dhe Fizikës. Me krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës në vitin 1957 kjo katedër u shndërrua në një katedër universitare dinjitoze, e cila i ka dhënë vendit një plejadë kudrosh arsimore dhe shkencore. Në sajë të përpjekjeve serioze të njerëzve të shquar që kanë milituar në vite në këtë katedër, është përballuar një punë me përmasa jo të zakonshme jo vetëm në zgjidhjen e nevojave të mëdha për mësues matematike, por dhe për konfigurimin e drejtimeve të ndryshme kërkimore, në të cilat janë angazhuar një numër jo i vogël kërkuesish. Në vitin 1971 nga kjo katedër u sigurua mbështetja profesionale e kërkimit e Qëndrës së Matematike Llogaritëse dhe në vitin 1972 u krijuan grupet e profilizuara shkencore. Ecuria pozitive e punës së këtyre grupeve dhe konsolidimi i vazhdueshëm i drejtimeve shkencore të tyre çoi në zëvendësimin e katedrës së Matematikës me katedra më të specializuara. Kjo strukturë u shoqërua më pas me krijimin e Departamentit të Matematikës në përbërje të të cilit ishin seksioni i Analizës dhe Ekuacioneve Diferenciale, seksioni i Algjebrës, seksioni i Gjeometrisë, seksioni i Probabilitet dhe i Statistikës,seksioni i Analizës Numerike dhe i Kërkimeve Operacionale. Aktualisht Departamenti përbëhet nga një staf me 26 punonjës, ndër të cilët janë 7 Profesorë, 1 Asc,profesor, 6 Doktorë , 9 me diploma të nivelit master dhe 3 të rinj që janë angazhuar në studim të nivelit master. Problematikat e punës shkencore, që trajtohen aktualisht në Departament vazhdojnë të orientohet në ato rubrika që janë krijuar në ish seksionet e mëparshme. Sot departamenti drejton
.) dy diploma universitare të nivelit të parë, diplomën universitare në “Matematikë” dhe diplomën universitare në “Inxhinieri Matematike dhe Informatike”
.) dy diploma universitare të nivelit të dytë, diplomën universitare në “Matematikë” dhe diplomën universitare në “Inxhinieri Matematike dhe Informatike”
.) një master i nivelit të parë “ Mësues Matematike”.
.) mbulon lëndët matematike për diplomat e nivelit të parë “ Fizikë””, Informatikë”,
“Kimi e përgjithshme”, Kimi Industriale”, “Kimi ushqimore” dhe “ Biologji”
Këtë vit shkollor Departamenti nxori studentët e parë me diploma të nivelit të parë në Matematike dhe Inxhinieri Matematike dhe Informatike dhe po punohet për drejtimin normal të diplomave të dy niveleve.
Në kuadrin e hartimit të kurrikulave të nivelit të dytë dhe mbylljes së për herë të parë të ciklit 3 vjeçar, u rishikuan programet ekistuese të nivelit të parë, në të cilat u pasqyruan dhe përmirësimet e nevojshme të kushtëzuara nga eksperimentimi i mëparshëm i tyre. Ndryshimet konsistojnë në zhvendosje semestrale të ndonjë moduli, në zgjerimin e mundësive për të futur lëndë me zgjedhje, në saktësim vlerësimesh në kredite të disa lëndëve, në një alternim më të natyrshëm të sigurimit të informacionit profesional në të dy ciklet universitare.
Në bazë të ligjit për Arsimin e Lartë në lidhje me organizimin e Departamentit , është bërë propozimi në Dekanat për organizimin e grupeve të mëposhtme kërkimore dhe mësimore
- Grupi i Algjebrës
- Grupi i Gjeometrisë
- Grupi i Analizës
- Grupi i Ekuacioneve Diferenciale
- Grupi i Probabilitet Statistikës
- Grupi i Analizës Numerike
Ky propozim kushtëzohet nga drejtimet kërkimore tashmë të konsoliduar në Departament, nga pesha që zë secili nga këto drejtime në plan programet e konceptuara në ciklet universitare që drejton Departamenti dhe në zhvillimet e pritshme të kërkimit shkencor të anëtarëve të Departamentit.
Kontakto
Departamenti:
This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it
Tel/Fax: +355-4-222-32-120