E premte, 21 Tetor 2016

FJALIMI I REKTORIT TË UT-SË, PROF. DR. MYNYR KONI ME RASTIN E FILLIMIT TË VITIT AKADEMIK 2016-2017, UT, FSHN

E nderuar zj. Ministre!

I nderuar z. Dekan!

Të nderuar drejtues të Universitetit; fakulteteve, departamenteve!

Të nderuar kolegë,

Të dashur studentë, Mirësevini në Universitetin Tuaj! 

Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ju kërkues të dijes të cilët filloni me entuziazëm dhe plot energji vitin e ri akademik 2016-2017. Dëshiroj t’ju uroj një mirëseardhje të ngrohtë të gjithë studentëve të rinj të regjistruar në fakultetet tona, të cilët na kanë besuar duke përzgjedhur Universitetin e Tiranës, sikurse dëshiroj t’ju uroj një rikthim të mbarë studentëve ekzistues në këtë mjedis plot gjallëri dhe të bukur universitar që kemi krijuar.

Më vjen mirë që ju shoh sot të mbledhur këtu, të motivuar, dhe gati për të nisur rrugëtimin e bukur akademik në botën e dijes që ju pret përpara. Emocionohem pa masë kur shoh se numri i studentëve që përzgjedhin Universitetin e Tiranës rritet çdo vit e më shumë dhe jam krenar që pranë nesh vijnë studentët më të mirë të gjimnazeve të vendit. Për vitin akademik 2016-2017 për herë të parë në Ciklin e Parë të studimeve do të studiojnë 5400 studentë, në 36 programe studimi. Në ciklin e Dytë do të regjistrohen 5585 studentë, në 90 programe studimi të ciklit të dytë. Në total në Universitetin e Tiranës për Vitin Akademik 2016-2017 do të studiojnë 25-30 mijë studentë.

Ky jemi Ne, Universiteti lider! Një Universitet elitar!.

Suksesi juaj në studime është qëllimi ynë kryesor. Ju na keni besuar të ardhmen tuaj. Arsimimi i ofruar në Universitetin e Tiranës është pikënisja e zhvillimit tuaj profesional. Ne do të punojmë fort që të kontribuojmë në të ardhmen Tuaj, duke ju pajisur me njohuritë, vlerat dhe cilësitë e duhura që Ju të jeni profesionistët e ardhshëm të ndryshimit të cilët do të keni në dorë transformimin e vendit, të vendit tuaj, të vendit tonë.

Universiteti i Tiranës është një universitet me qasje drejt studentit, andaj në cilësinë e Rektorit dua t’ju garantoj mbështetjen time të plotë. Ju, tek ne do të gjeni një komunitet të ngrohtë, mikpritës dhe të gjallë studentor, një derë të hapur për të gjithë, ndaj gjej rastin të falënderoj stafin akademik dhe administrativ për punën e parreshtur, profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e tyre maksimal. Jam i nderuar që bashkëpunoj me të gjithë Ju. Dëshiroj t’ju falënderoj përzemërsisht që lartësoni emrin e Universitetit të Tiranës dhe jam i bindur që do të krijoni një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe për brezat që do të vijnë.

Të dashur studentë! Universiteti ynë do të ridimensionojë hapësirat studentore. Qëllimi ynë është të plotësojmë jetën studentore jo vetëm me aftësimin e tyre akademik e profesional por edhe në zhvillimin e aftësive të tyre ndërpersonale dhe talenteve të mbartura.

Krijimi i hapësirave ku studentët të mund të shpalosin dhe zhvillojnë talentet e tyre, do të rrisë motivimin dhe performancën e tyre akademike, si edhe ndërveprimin me njëri-tjetrin. Kontributi i deritanishëm i Qendrës së Karrierës në këtë drejtim ka konfirmuar interesin e studentëve, duke reflektuar numrin në rritje të pjesëmarrjes së tyre në shërbimet dhe aktivitetet e ofruara, si edhe mundësitë për punësim që këto qendra ofrojnë.

Gjithashtu dua t’ju bëj me dije se Universiteti i Tiranës po realizon një numër të madh marrëveshjesh me universitetet evropiane në kuadër të programit Erasmus+ për shkëmbimin e studentëve. Me fillimin e këtij viti të ri akademik, së shpejti do të kemi një sërë marrëveshje, ku një numër i madh studentësh nga Universiteti i Tiranës do të kenë mundësinë të përfitojnë nga përvojat evropiane. Këta studentë, bazuar në këto marrëveshje bilaterale, do të zhvillojnë procesin mësimor për një semestër në universitete me zë në Evropë si: Universiteti i Grac-it në Austri, Universiteti i Humboldit-Berlin; Universiteti i Lundit në Suedi; Universiteti i Madridit në Spanjë, dhe shumë e shumë të tjerë në vende si Luksemburg, Itali, Letoni, Lituani, Poloni, Greqi, etj.

Në drejtim të jetës studentore mbetet shumë për t’u bërë duke na vënë përballë me mjaft sfida si: krijimi dhe përshtatja e ambienteve të reja, promovimin dhe shpërblimin e talenteve të ndryshme brenda UT-së, nxitja e përfshirjes së studentëve në forume dhe organizma të ndryshme studentore, si edhe gjetja e burimeve për mbështetje financiare të nismave të tyre kulturore, sociale, sportive etj. Mbetemi të vendosur për të konsoliduar mbështetjen tonë në pasurimin e jetës studentore, për të krijuar një mjedis që mundëson identifikimin dhe zhvillimin e potencialit të të rinjve.

Universiteti i Tiranës ofron një proces të mësimdhënës të nivelit të lartë dhe i përgjigjet kërkesave të kohës, si edhe kontribuon fuqimisht për sfidat që ka arsimi i lartë, shoqëria shqiptare dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Tek ne ju do të gjeni infrastrukturën e nevojshme si edhe një jetë studentore të pasur dhe të shëndetshme. Ne do të krijojmë hapësira ku ju të mund të shpalosni dhe zhvilloni talentet tuaja, duke rritur motivimin dhe performancën akademike, si edhe ndërveprimin me njeri tjetrin.

Prania e zj Ministre në këtë ceremoni të fillimit të vitit akademik për Universitetin e Tiranës, është një tregues i vlerësimit dhe mbështetjes së qeverisë për zhvillimin e arsimit të lartë.

Ju faleminderit zj.Ministre!

Në emër të Universiteti të Tiranës, të stafit akademik, të të gjitha strukturave drejtuese Ju garantojmë se do të punojmë në mënyrë të palodhur për edukimin sa më të mirë të studentëve dhe pregatitjen e tyre nga pikpamja profesionale sa më të lartë, në mënyrë që ato të përballojnë sfidat e zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Me punën tonë shprehim bindjen që studentët e Universitetit të Tiranës do të jenë kompetitivë në sfidat rajonale e më gjërë.

Së fundmi do t'i sugjeroja studentëve miqësisht një këshillë:

Ju duhet punë sistematike në studime, për të arritur objektivat tuaja.

Më lejoni t’ju uroj nga zemra një rrugëtim të mbarë akademik dhe plot suksese!

E premte, 21 Tetor 2016

ABONOHUNI

Sigurohuni që nuk do humbisni asnjë event nga UNITIR duke u abonuar në letërnjoftimin tonë.

Na Kontaktoni

Për çdo informacion ose pyetje, na kontaktoni:

Na ndiqni

Ne jemi edhe në Facebook. Na ndiqni dhe mbetemi ne kontakt.

ADRESA

Rektorati,

Sheshi "Nënë Tereza" 

Kutia Postare Nr. 183

Tiranë, Shqipëri

Kreu Aktivitete 2016 FJALIMI I REKTORIT TË UT-SË, PROF. DR. MYNYR KONI ME RASTIN E FILLIMIT TË VITIT AKADEMIK 2016-2017, UT, FSHN