Historiku: (Përshkrim i përgjithshëm i institucionit)
Fakulteti i Ekonomisë është një nga tetë fakultetet e Universitetit të Tiranës, i cili është nën varësinë e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.
Fakulteti i Ekonomisë është formuar në vitin 1952, me emrin Instituti i Lartë i Ekonomisë. Në vitin 1957, me krijimin e Universitetit të Tiranës, ai u përfshi në atë Universitet me emrin Fakulteti i Ekonomisë. Në atë kohë Fakulteti i Ekonomisë ofronte diploma vetëm në dy degë: degën e Ekonomisë dhe degën e Kontabilitetit.
Gjatë viteve që pasuan Fakulteti i Ekonomisë u zgjerua dhe në vitin 1990 ai ofronte diploma në gjashtë degë: Ekonomist për Industrinë, Ekonomist për Financë, Ekonomi Politike, Ekonomist për Tregtinë, Ekonomist për Statistikë dhe Merceologji. Deri në vitin akademi 1990- 1991 programet mësimore të Fakultetit të Ekonomisë kanë qenë ndërtuar mbi bazën e parimeve të ekonomisë të centralizuar dhe kanë qenë të orientuar drejt përvojës së universiteteve lindore.
Fakulteti i Ekonomisë është më i vjetri, duke e krahasuar atë me fakultetet përkatëse në universitetet e tjerë shqiptarë që ofrojnë diploma në fushën e ekonomisë, biznesit, marketingut, turizmit, etj. Gjatë periudhës 1991-2006, e cila përputhet me periudhën e transformimit drejt ekonomisë së tregut, Fakulteti i Ekonomisë është riorganizuar dhe ristrukturuar rrënjësisht në formë dhe përmbajtje. Sot ky fakultet emërtohet Fakulteti i Ekonomisë. Aktualisht, fakulteti operon në bazë të programeve të reja mësimore, në përputhje me programet e shkollave perëndimore, bazuar në deklaratën e Bolonjës dhe të përshtatura ndaj kushteve konkrete të vendit tonë.
Këshilli i fakultetit, sipas ligjit për arsimin e lartë, është organ epror kolegjial, i zgjedhur, i cili vendos për problemet më të rëndësishme të Fakultetit në fushën e mësimit, kërkimit shkencor dhe atë administrative e financiare. Ai përbëhet nga përfaqësues të personelit mësimor shkencor të Fakultetit, të punonjësve mësimorë, të administratës dhe të studentëve. Përbërja e tij dhe mënyra e zgjedhjes përcaktohen në Rregulloren e Zgjedhjeve dhe dispozita të veçanta për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës. Mandati i Këshillit është 4 vjeçar. Mënyra e mbledhjes, votimi e gjithçka tjetër që ka të bëjë me to, vendosen në Rregulloren e Brendëshme të Këshillit të Fakultetit.
Autoritetet drejtuese të fakultetit janë dekani dhe përgjegjësat e departamenteve. Zv/Dekani është përgjegjës për veprimtarinë shkencore dhe procesin mësimor. Përgjegjës për ndjekjen e problemeve ekonomike dhe administrative është Kancelari.
Website: http://www.fakultetiekonomise.edu.al/
Sekretare e Dekanit +355 4 2345789