Rektori – UNIVERSITETI I TIRANËS

Rektori

Të dashur studentë,

Të nderuar kolegë,

Nuk ka kaluar shumë kohë kur unë isha para jush duke ndarë me ju vizionin tim për Universitetin e Tiranës, me premtimin se UT do të jetë vendi, ku standardet në cilësinë e studentëve, kualifikimi i stafit akademik, mësimdhënia dhe kërkimi shkencor, do të na udhëheqin drejt zhvillimit institucional!

Tashmë, ky është detyrimi im.

Në cilësinë e rektorit, jam i nderuar të përfaqësoj këtë djep të dijes, me studentët më premtues të vendit tonë dhe stafin akademik me potencialin më të çmuar intelektual. Është krenari të jesh në krye të Universitetit të Tiranës, por është dhe një impenjim i madh për të përmbushur pritshmëritë jo vetëm të studentëve tanë por edhe të mbarë shoqërisë shqiptare, duke zhvilluar dhe konsoliduar më tej institucionin, ku fitohen dhe zhvillohen vlerat më të larta të individit dhe dinjitetit njerëzor.

Sot, i mbushur me plot të rinj gjithë entuziazëm dhe dëshirë për dije, Universiteti i Tiranës është një krenari kombëtare.

UT është zhvilluar në simbiozë të ngushtë me shoqërinë shqiptare dhe do të vazhdojë të jetë një pikë referimi në terma të cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor dhe një simbol i edukimit dhe kulturës, që i përgjigjet kërkesave të kohës, që kontribuon fuqimisht për sfidat që ka arsimi i lartë dhe shoqëria shqiptare. Kjo do jetë forca jonë, sinergjia e trinomit: kërkim shkencor, arsimim cilësor, studentë dhe staf i përkushtuar.

Universiteti i Tiranës është dhe do të mbetet institucioni, ku tradita e gjatë dhe e pasur kombinohet me të ardhmen, dinamizmin dhe vizionin, duke krijuar një institucion arsimor lider në Shqipëri por edhe më gjerë.

Miqtë e mi, dëshira jonë e përbashkët është që UT të jetë një vend i sigurt, për një të ardhme të suksesshme akademike dhe profesionale.

Ky do të jetë universiteti që përcjellë zërin tuaj, që mundëson asistim real të problemeve tuaja dhe ju qëndron pranë duke ju ofruar shërbimet më cilësore dhe moderne.

Ne do të punojmë pa rreshtur për të jetësuar çdo ditë vlerat bashkëkohore në arsim me qëllim zhvillimin dhe përparimin e gjeneratave të ardhshme.

Me respekt,

Prof. Dr. Mynyr KONI

Email: mynyr.koni@unitir.edu.al

Për biografinë e profesorit ju lutem klikoni ketu